Klasifikimi i materialeve teknologjike

Klasifikimi i metaleve. Karakteristikat e materialeve metalikë
Metalet janë shumë të përhapur në natyrë, ku zënë rreth 2/3 e të gjithë elementëve kimikë që njihen
deri më sot. Sipas mënyrave të përpunimit dhe të përdorimit, metalet ndahen në dy grupe të mëdha:
Metale ferrorë (të zeza), ku hyjnë hekuri (Fe) dhe lidhjet e tij giza e çeliku, si dhe metale jo ferrorë ku
hynë të gjithë metalet e tjera të quajtura metale me ngjyrë.
Në të vërtetë ka vetëm dy metale me ngjyrë, bakri i kuq dhe ari I verdhë, kurse të gjitha të tjerat
dallohen ndërmjet tyre nga nuancat e ndryshme të ngjyrës së argjendtë në të hirtë.
Metalet me ngjyrë ndahen në:
– metale të rënda, ku hyjnë metalet me dendësi të madhe si: Cu, Ni, Pb, Zn, Sn.
– metale të lehta, ku hyjnë metalet me dendësi të vogël si: alumini (Al), Magnezi (Mg) dhe lidhjet e
tyre.
– metale të çmueshme të cilat kanë veti të ruajnë sipërfaqen e tyre nga oksidimi si: ari (Au), argjendi
(Ag), platini (Pt) etj.
– metale të rralla ku hyjnë Titani (Ti), Molibdeni (Mo), Volframi (W), vanadi (V) etj.
Përveç këtyre është rritur shumë roli i metaleve radioaktive, si Urani (U), Radiumi (Ra) etj., si dhe i
materialeve gjysmëpërçues, si: Bori (B), Germaniumi (Ge), Silici (Si), Teluri (Te) etj.
Përdorim më të gjerë në teknikë kanë gjetur metalet ferrorë (hekurorë), sepse kanë cilësi të larta që iu
përgjigjen kërkesave të teknikës. Ata gjenden me shumicë në natyrë, prodhimi metalurgjik i tyre është
relativisht i lehtë dhe kushtojnë më lirë.
Lidhjet metalike
Metalet e pastra, megjithëse kanë disa veti të mira fizike e kimike, siç janë përcjellshmëria elektrike,
përcjellshmëria termike, qëndrueshmëria ndaj mjediseve të ndryshme acide, bazike apo kripëra etj.,
nuk u përgjigjen si duhet disa kërkesave të tjera për përdorim në fusha të ndryshme. Shumë prej
tyre kanë qëndrueshmëri të ulët mekanike, kështu që nuk janë të përshtatshëm për ndërtimin e
konstruksioneve, për prodhimin e detaleve të ndryshme. Gjithashtu kostoja e prodhimit të metaleve
të pastra është relativisht e lartë, prandaj përdorimi i tyre në industri është i kufizuar vetëm për raste
të veçanta. Metalet e pastra lidhen me qëllim që t`i përmirësohen vetitë mekanike e teknologjike, të
cilat janë bazë për t`u përpunuar me mënyra të ndryshme, për prodhime metalike.
Sot përhapje të gjerë ka përdorimi i metaleve në formën e lidhjeve metalike, ku një vend të rëndësishëm
zë lidhja hekur – karbon.
Në industri përdoren shumë lloje lidhjesh metalike me një ose disa elemente lidhëse. Kështu si lidhje
metalike mundet të përmendim, gizën e çelikun si lidhje të Fe me C, gizat e lidhura, ferrolidhjet, çeliqet
e lidhura për konstruksione, vegla pune apo matëse, lidhjet e Al, Cu etj.