Analizë: “Metamorfoza”

Kur një mëngjes Gregor Zamza u zgjua pas ëndrrash të trazuara, u gjend në krevat i shndërruar në një kandërr të përbindshme.
Kështu fillon tregimi i Kafkës “Metamorfoza”, në të cilin Gregor Zamza vazhdon ekzistencën e tij si një insekt, gjithnjë e më shumë i pavlefshëm, derisa vdes. “Metamorfoza” është një tekst i frikshëm, shqetësues për cenueshmërinë e njeriut, pozitën e tij të pasigurt në botë, që brenda një nate mund ta kthejë të padobishëm në shoqëri. Historinë e tij Kafka e mbështjell me një tis misteri. Lexuesit e asaj kohë i pati trazuar ky karakter misterioz i veprës. Një prej tyre, Dr. Siegfried Wolff, i cili e lexoi rrëfimin menjëherë pas botimit, iu drejtua Kafkës me këto fjalë: “Shumë i nderuar zotëri”, ju më keni bërë të palumtur. Unë bleva “Metamorfozën” tuaj dhe ia dhurova kushërirës sime. Por ajo nuk arrin ta shpjegojë historinë. Kushërira ime ia dha mamasë së saj, por as ajo nuk diti ta shpjegojë… Vetëm ju mund të më ndihmoni. Ju duhet ta bëni këtë, pasi ju jeni shkaktari i këtij shqetësimi. Pra ju lutem, më thoni se çfarë duhet të kuptojë kushërira ime nga “Metamorfoza”.
Si edhe në vepra të tjera, edhe këtu ambienti ku merr jetë vepra ka natyrë simbolike.
Novela e famshme u shkrua një shekull më parë, në fund të vitit 1912, në një periudhe në
të cilën Kafka po haste vështirësi me romanin e tij të parë. Më 17 nëntor 1912, ai i shkroi të
fejuarës së tij, Felis Bauer, se po punonte për një histori që “erdhi tek unë në mjerimin tim,
ndërsa isha i shtrirë në shtrat” dhe kjo gjë po e përndiqte. Ai shpresonte që ta shkruante
shpejt, nuk e kishte kuptuar ende se sa kohë do t’i duhej, ndërkohë mendonte se do të
dilte më mirë nëse mund ta shkruante në vetëm një ose dy seanca të gjata. Por, pati shumë
ndërprerje dhe ai iu ankua Felisës disa herë që vonesat po i dëmtonin historinë. Tri javë
më vonë, më 7 dhjetor, ai e mbaroi edhe pse do të kalonin edhe tre vjet para se historia të
botohej.

Protagonisti i tregimit, Gregor Zamza, është anti-hero i rëndësishëm i Kafkës. Ai ka punuar
deri në stërmundim të plotë për të paguar borxhet e prindërve dhe metamorfoza e tij groteske
është manifestimi fizik i poshtërimit të tij. Në çfarë është transformuar saktësisht ai? Në
fakt, edhe pse Kafka e miqtë e tij përdornin fjalën “buburrec” (gjermanisht: ëanze) kur
flisnin rastësisht për historinë, gjuha që shfaqet në novelë është e zgjedhur me kujdes për
të shmangur specifikat.
Gregori shndërrohet në “një lloj insekti monstruoz”, por pa u specifikuar nga autori në ç’lloj
instekti. Mbase Kafka donte që ne të shohim trupin dhe gjendjen e re të Gregor Zamzës me
të njëjtin këndvështrim të zymtë me të cilin Gregori vetë i zbulon ato.

Ky këndvështrim i paqartë zbatohet edhe për aspekte të tjera të tregimit. Megjithëse
Vladimir Nabokov, me prirjen e tij për saktësi, e ka përshkruar banesën Zamza në detaje,
vetë Kafka, duke patur parasysh dëshirën e tij për një perceptim të paqartë, do të ishte
shumë i shqetësuar për gjeografinë e saktë të banesës. Sa dhoma ka apartamenti? Mund
të ketë shumë. Po ashtu si Gregori, që kur qëndron i shtrirë në shpinë në hapje të tregimit,
zbulon se “shumë këmbë të vogla” fluturojnë në ajër mbi të.
Kafka nuk është aspak i vëmendshëm ndaj vazhdimësisë së personazheve të tij. Herët në
histori, ne shohim një vajzë shërbyese që lë një shënim dhe largohet për ta gjetur më tej
duke gatuar në disa faqe të mëvonshme. Nga personazhet e tij, kujdestari është ai që luan rol
kryesor në skenat e parafundit, sepse edhe personazhet e tjerë kryesorë kanë tendencën që të
shfaqen vetëm sipas funksioneve të tyre: “babai”, “nëna”, “motra”. Vetëm një prej tyre merr
emër, Greta, por edhe ajo zakonisht ndeshet si “motër”, deri në momentin vendimtar në fund,
kur ajo bëhet një “bijë”. Duke përcaktuar të gjithë këta karaktere nëpërmjet marrëdhënies
së tyre me Gregorin, Kafka lejon që pikëpamja e Gregorit të dominojë historinë edhe kur ai
nuk është i pranishëm në skenën që përshkruhet.
Gjatë leximit zbulohet se aktiviteti pas metamorfoze i jep Gregorit ndjenjën më të madhe të
lirisë. Ai e shijon zvarritjen rreth mureve dhe tavanit të dhomës së tij. Gjendja e re fizike e
Zamzës paraqitet si një përfaqësim i mjerimit të tij të gjatë shpirtëror. E megjithatë kjo gjë
jo vetëm që nuk i sjell mërzi, por e kënaq, sepse i plotëson kërkesën kryesore, të qëndrojë i
vetëm. Më në fund, ai ka vetëm vetveten që ta fajësojë për situatën në të cilën ndodhet, pasi
ai e ka pranuar në heshtje mjerimin e tij. Ashtu si personazhet e tjerë të Kafkës, ai gabon
duke dashur të veprojë, madje duke i lejuar të tjerët të veprojnë mbi të.
Interesante në vepër është gërshetimi i reales me fantastiken; mendimet dhe sjellja e Zamzës,
njerëzit e shtëpisë, sjellja e shefit të zyrës etj., përshkruhen të gjitha me mjete realiste,
që ngjasojnë me natyralizmin. Edhe lëvizjet prej zvarraniku të Zamzës, aq të tmerrshme,
përshkruhen shumë thjesht nga autori, madje si diçka normale. Kafka thekson se të tilla
gjendje janë jetësore e krej të natyrshme, saqë edhe kur Zamza pëson metamorfozë mendon
se marrëdhëniet e tij me të tjerët nuk do të pësonin asnjë ndryshim. Kemi këtu një gërshetim
të reales me absurdin, sipas parimit kafkian që të dyja këto janë dukuri njëlloj të rëndomta
të jetës bashëkohore.

Gregor Zamza e ka dënuar veten të vdesë nga uria. Ai e refuzon ushqimin dhe për ta treguar
këtë plani i rrëfimit kalon herë te gota e paprekur me qumësht, herë te molla që i kalbet
mbi shpinë. Të gjitha këto përmbledhin konceptin që Kafka ka për vdekjen, si një protestë
pasive ndaj jetës, por edhe si mbyllje e lumtur e një jete në vetmi.